Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, ka komentuar eliminimin e skuadrës nga çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Pas humbjes 2:1 ndaj Arsenalit në “Santiago Bernabeu”, Reali nuk arriti të përmbysë disavantazhin prej tre golave të grumbulluar në ndeshjen e parë, duke përfunduar me rezultat total 5:1 për Arsenalin.
“Ekipi u mundua, por nuk arritëm të realizonim një kthesë. Arsenal kaloi përpara me plot merita. Futbolli ka dy anë: atë të lumturisë që e kemi shijuar viteve të fundit, dhe atë të trishtimit që po e përjetojmë tani,” u shpreh Ancelotti pas ndeshjes.
Një pyetje që iu drejtuar trajnerit ishte lidhur me të ardhmen e tij te Real Madrid.
“Jemi ende në garë për të fituar La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Kupën e Botës për Klube. Nuk mund të flas tani nëse do të drejtoj Realin në Kupën e Botës. Nëse klubi vendos të më zëvendësojë, nuk kam asnjë problem. Do ta falënderoj për mundësinë. Nuk e di dhe as nuk dua ta di,” tha Ancelotti.