Carlo Ancelotti ka folur për media para përballjes ndaj Manchester Cityt në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve në Bernabeu, e cila luhet këtë të martë duke filluar nga ora 21:00.
Ndeshja e 200-të në Champions League:
“E rëndësishme është të marrim më të mirën, aspekti mendor është i rëndësishëm. Duhet të kemi guxim dhe personalitet në fushë, kemi pasur kohë të përgatitemi. Jam i bindur se do të japim më të mirën që kemi. Kemi mjaftueshëm cilësi për të konkurruar.”
A është City skuadër superiore?
“Do të jetë një sfidë tërheqëse, çdo ekip ka karakteristikat e veta, të dyja me shumë cilësi. Kjo cilësi do të bëjë një ndeshje shumë të bukur në nivel teknik. Ne mendojmë të jemi superiorë në disa aspekte, ata në disa të tjera. Epërsia do të shihet në fund të 180 minutave”.
Guardiola:
“Guardiola është një trajner i madh, pikë. Nuk më shqetëson se çfarë mendojnë për mua, më intereson se çfarë mendojnë ata për klubin tim”.
Jeni ende nervoz?:
“Po, shumë nervoz. Orët para ndeshjes, në nivel personal. Humbja është vuajtje, fitorja është lumturi? Jo, me të vërtetë është një lehtësim. Sepse ditët pas janë më të qeta. Vuajtja është pjesë e punës, të mban gjallë, është benzinë për mua”.
Walker – Vinicius:
“Është në këmbët e lojtarëve më cilësorë. Ka shumë lojtarë nga të dyja skuadrat me shumë kualitet. Kjo do të përcaktojë ndeshjen, siç ndodh gjithmonë. Përveç strategjisë, e cila duhet të jetë e qartë, lojtarët janë të bindur se do ta zbatojnë atë në mënyrën më të mirë”.
Kreativiteti me topin:
“Kemi karakteristika të ndryshme me topin, Benzeman e kishim vitin e kaluar, tani nuk e kemi. Ne e kemi përballuar këtë mungesë me më shumë lëvizshmëri në frontin e sulmit. Dhe kjo do të jetë e rëndësishme”.
Jude Bellingham:
“Ai është një lojtar i madh që shfaqet në kohën e duhur. Fizikisht është shumë i fortë për të mbuluar shumë zona dhe për të kontribuar shumë në mbrojtje. Kjo krijon hapësira dhe mundësi. Gjëja kryesore është se ai është shumë i pjekur, pavarësisht se është 20 vjeç, është profesionist dhe i përulur, nuk na befason si lojtar, por si person”.
Ndryshime në formacion:
“Nuk mendoj se do të bëjmë gjëra të çuditshme, jo… Mund të jetë… Jo. Nuk do të humbisni formacionin, mos u shqetësoni, është mjaft e qartë”.
Dyshime në mbrojtje:
“Nuk u kam thënë asgjë lojtarëve, do ta them nesër”.
Camavinga:
“Të rrezikuarit nga kartonët nuk na bëjnë të mendojmë për kthimin, ne duhet të mendojmë për të tashmen. Ne luajmë në stadiumin tonë, është një avantazh që duhet të përfitojmë”./UBTNews/