Mesfushori i Villarrealit, Etienne Capoue e ka përshkruar stadiumin “Anfield Road” si vetë ferrin, para ndeshjes së parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.
Villarreali në rrugën drejt gjysmëfinales ka mposhtur dy gjigantët evropianë, Juventusin e Bayern Munichun, kurse ende është kampion aktual i Ligës së Evropës, pas triumfit sezonin e kaluar kundër Manchester United.
Ndërkaq, sot skuadra spanjolle do të përballet me një kundërshtarë tejet të rrezikshëm si Liverpooli, ku ky i fundit po vazhdon ëndrrën për të fituar plot katër trofe këtë sezon.
“Anfieldi” ka qenë një nga vendet që ka prodhuar ndeshje fantastike gjatë viteve të fundit në garat evropiane, ku mesfushori i Villarrealit Etienne Capoue i ka përjetuar disa nga to përgjatë tetë viteve të tij në Premier Ligë me Tottenhamin e Watfordin.
Capoue rikthehet sot në qytetin e Merseyside me “Nëndetësen e Verdhë” dhe është i vetëdijshëm se me çfarë kundërshtari do të përballet.
“Anfieldi është vetë ferri, duhet ta thuash ashtu siç është. Është stadiumi më i frikshëm që kam luajtur në Angli. Edhe nëse është atmosfera, mënyra se si ata luajnë për 90 minuta, ti je në ferr. Ata e kanë këtë aftësi që të japin më shumë nga vetja, të krijojnë probleme gjatë gjithë kohës në tërë fushën”, tha Capoue.
“Ata nuk ndalen kurrë, janë gjithmonë në lëvizje dhe të shpejtë, duan vetëm të shënojnë gola, dhe nëse shënojnë, ata duan të vazhdojnë ashtu. Ata duan që të eliminojnë. Nuk brengosen se kë e kanë përballë. Ata duan vetëm të vrasin të gjithë dhe kështu është”, shtoi më tej mesfushori i Villarrealit.
Sonte me fillim nga ora 21:00, stadiumi “Anfield Road” do të jetë nikoqir i ndeshjes tejet interesante mes Liverpoolit e Villarrealit, e vlefshme kjo për takimin e parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.