Trajneri italian, Fabio Capello ka shprehur brengat e tij për situatën aktuale të futbollit italian, duke e cilësuar këtë të fundit larg me futbollin e vendeve të tjera.
Kombëtarja e Italisë nuk arriti për të dytën herë radhazi që të kualifikohet për në Kampionat Botëror, pasi që u mposht nga Maqedonia e Veriut në fazën kualifikuese.
Po ashtu, asnjë skuadër italiane nuk ka arritur që të prekë çerekfinalet e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, gjë kjo e cila për Capellon nuk është gjë e mirë.
“Futbolli italian është shumë prapa të gjithëve. Topi nuk lëviz shpejtë, gjyqtarët ndalin lojën shpesh. Çdo ndërhyrje është faull, kështu që nuk ka kurrë intensitet, ekipet tona nuk dinë si të mbajnë ritmin e lojës”, tha Capello.
“Ne kemi mbetur prapa në çdo aspekt, por problemi kryesor është që lojtarët më të mirë nuk vijnë më në Itali, kështu që nuk ka krahasime me të mirët. Mund të duhen tetë vite për ta rregulluar futbollin italian, sepse këtu secili intervenon. Sa i përket sektorit të rinjve, ata që e kanë në dorë këtë gjë duhet të marrin mësim nga Spanja, sepse aty punojnë në teknikën e lojtarëve jo në taktika”, shtoi më tej trajneri italian.