Hakan Calhanoglu, mesfushori i Interit dhe i kombëtares turke, ka shprehur krenarinë e tij për arritjet e fundit në një intervistë pas fitores 3-1 të Turqisë ndaj Islandës. Ai ka ndarë mendimet e tij për mediat vendase dhe ka komentuar përpjekjet dhe sfidat që ka përjetuar gjatë karrierës së tij.
“Kur vjen puna për mua, gjithmonë ka kritika,” ka thënë Calhanoglu. “Po përpiqem të bëj shurdhin ndaj tyre. Ndoshta dukem si i pafytyrë, por pas 21 vitesh, një lojtar turk është rikthyer sërish në garën për ‘Topin e Artë’.”
Ai ka theksuar se ndihet i krenuar për këtë arritje, duke shtuar se, në fund të fundit, ai po i shërben vendit të tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Calhanoglu ka diskutuar gjithashtu mbi spekulimet e muajve të fundit rreth qëndrimit të tij tek Interi, duke zbuluar se kishte marrë disa oferta gjatë verës. Megjithatë, ai vendosi të qëndronte me Interin, edhe pse ai e pranon se, edhe nëse kishte menduar ndryshe, klubi nuk do ta kishte lënë të largohej.
“Kam marrë disa oferta gjatë verës, por vendosa me zemër të qëndroja tek Interi. Edhe nëse mendoja ndryshe, Interi nuk do të më linte të shkoja askund,” ka shtuar ai. “Pra, siç thashë, nuk është diçka në fuqinë time. Do të përpiqem të luaj në nivelin më të lartë të mundshëm.”
Përsa i përket ekipit kombëtar, Calhanoglu ka shprehur dëshirën e tij për të arritur një tjetër objektiv të rëndësishëm: “Dua të jem në gjendje të luaj ndeshjen e 100-të me Turqinë”.