Hakan Calhanoglu ka konfirmuar besnikërinë ndaj Interit, duke hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm drejt Turqisë. Mesfushori turk është rikthyer në stërvitje në Appiano Gentile pas dëmtimit të pësuar në Shtetet e Bashkuara dhe deklaroi se ndjehet në formë të mirë dhe i motivuar për sezonin e ri.
“Pushimet nuk ishin të lehta për shkak të spekulimeve, por jam i lumtur që jam kthyer dhe dua të punoj fort për Interin,” tha Calhanoglu. “Unë jam një lojtar i Interit dhe gjithmonë kam thënë se dua të vazhdoj këtu. Qëllimi im është të fitoj trofe.”, tha ai.
Duke folur edhe për marrëdhënien me kapitenin Lautaro Martinez, Calhanoglu theksoi se “gjithçka është sqaruar” pas deklaratave të mëparshme dhe se janë “profesionistë dhe të pjekur”.
Agjenti i tij kishte mohuar më parë zërat për një kalim te Galatasaray apo Fenerbahce, ndërsa vetë lojtari shprehu dëshirën për të rinovuar dhe vazhduar projektin me zikaltrit.