UBT News

Cakolli: Kushtetuesja ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin edhe pas tërheqjes së Osmanit

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese sa i përket pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, brenda afatit tridhjetëditor, duke thënë se tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj.

Osmani në një konferencë për media tha se ka tërhequr kërkesën për arsye se gjyqtar raportues është caktuar Radomir Laban dhe meqë i njëjti, sipas institucioneve të sigurisë, cenon sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, Cakolli në reagimin e tij tha se është legjitime që secili institucion të ketë rezerva ndaj figurave individuale, veçanërisht kur ekzistojnë informacione të përsëritura nga institucionet e sigurisë për cenim të rendit kushtetues.

“Nëse pas tetë vitesh raportimesh të tilla nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal (gjyqtarët s’kanë imunitet jashtë fushëveprimit të tyre), atëherë është vështirë të arsyetohet se si një element procedural si caktimi i gjyqtarit raportues, mund të shërbejë si arsye për tërheqjen nga një rast me rëndësi thelbësore kushtetuese.E vërteta është që gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit. Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, atëherë rasti mbyllet. Por mjafton që një gjyqtar tjetër të mos pajtohet, dhe rasti kalon për shqyrtim në përbërje të plotë të Gjykatës. Aty vendoset me shumicë votash për secilën pikë si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë. Edhe nëse gjyqtari raportues nuk është në atë shumicë, me vendim të Kryetarit, tekstin final e harton një gjyqtar tjetër. Për më tepër, tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj. Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor. E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë”, ka shkruar ai.

Sipas Cakollit, Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund.

Exit mobile version