Buxheti për vitin 2022 pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar dhe arsyetuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2022 para deputetëve, i cili theksoi se për herë të parë që nga pavarësia, Kosova ka një buxhet të balancuar.
Ministri Murati tha se ka një rritje të buxhetit gati për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, derisa shtoi se me këtë projektligj, kjo qeveri ka buxhetuar edhe mbështetjen për familjen.
Ministri Murati ka thënë po ashtu se Kosova këtë vit do të ketë rritje ekonomike dy shifrore.
“Sa i përket projektligjit të buxhetit si shifër e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore parashihet të kemi 2 miliardë e 748 milionë euro apo rreth 8.7 përqind më i lartë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti kurse tek të hyrat kemi paraparë 2 miliardë e 364 milionë euro apo rreth 15 përqind më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti. Deficit po ashtu parashihet që të rikthehet në normalitet duke zvogëluar trendin rritës po ashtu edhe të borxhet publik, për shkak se këtë vit presim që për herë të parë prej pavarësisë të kemi një buxhet të balancuar. Sa i përket strukturës së shpenzimeve kemi rritje pothuajse në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me një rritje më të lartë tek investimet kapitale. Po ashtu kemi buxhetuar edhe mbështetjen për familjen dhe për projekte infrastrukturore”, theksoi Murati.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet tha se Qeveria Kurti ka propozuar buxhetin më të mirë dhe më të lartë deri më tani.
Derisa kërkoi mbështetjen tha se ky buxhet është i fokusuar drejt rritjes ekonomike, punësimit dhe drejtësisë sociale dhe rikthimit të rendit dhe ligjit.
“Gjatë shqyrtimit kemi konstatuar se ky ligj I përmban parakushtet bazë sipas ligjit për manaxhimit të financave publike dhe përgjegjësisë dhe për këtë arsye i kemi rekomanduar edhe këtij Kuvendi edhe deputetëve që ta miratojnë në lexim të parë. Ajo çka është interesant të konkludohet është se nga shqyrtimi në lexim të parë vërehet se buxheti i Kosovës i propozuar për vitin 2022 parashihet të jetë 2.7 miliardë që do jetë një nga buxhetet më i madh dhe më i lartë dhe ndoshta më gjithëpërfshirës e Kosovës. Në vitin 2022 buxheti i Kosovës do të jetë 513 milionë euro më i madh sesa në vitin 2020 apo rreth 655 milionë euro më i madh se vitin 2019. Ajo çka është e veçantë në kuadër të projektligjit është tek të hyrat, të hyrat buxhetore të propozuara për vitin 2022 parashihen të jenë 2.3 miliardë euro që është diku është rreth 642 milionë euro më shumë sesa në vitin 2020[…]Qeveria Kurti për herë të parë po propozon që në baza mujore t’i mbledh rreth 200 milionë euro nga tatimet duhet tu rikujtoj që më herët në vitin 2020 qeveria e Kosovës mblidhte rreth 147 milionë në muaj nga tatimi apo në baza ditore I bie që qeveria Kurti po propozon që të mbledh rreth 6.5 milionë euro në ditë”, theksoi ai.