Skulptori kosovar Butrint Morina do të hapë ekspozitën e tij personale më 3 qershor 2026, në ora 18:00, në hapësirat e Ulpiana Art Center.
Ekspozita do të prezantojë një përmbledhje të krijimtarisë së tij artistike ndër vite, duke përfshirë rreth 20 vepra të realizuara gjatë dekadës së fundit në konkurse, bienale dhe simpoziume ndërkombëtare.
Projekti artistik fokusohet në procesin krijues të skulpturës monumentale bashkëkohore, duke e zhvendosur vëmendjen nga vepra përfundimtare te vetë rrugëtimi i krijimit.
Në qendër të ekspozitës do të jenë maketat origjinale të skulpturave, të trajtuara si vepra të pavarura arti dhe jo vetëm si modele teknike. Çdo maketë do të shoqërohet me dokumentim fotografik që paraqet procesin e realizimit, nga ideja fillestare deri te instalimi final i veprave në hapësira publike në vende të ndryshme të botës.
Ekspozita do të ketë edhe karakter edukativ, me synim afrimin e publikut, studentëve të artit dhe nxënësve me procesin profesional të skulpturës.
Butrint Morina ka shprehur gatishmërinë që të udhëheqë personalisht vizitat e organizuara nga shkollat dhe institucionet arsimore gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 28 qershor.
