UBT News

Burri iranian që i preu kokën gruas 17-vjeçare dënohet me tetë vjet burg

Një burrë që i preu kokën gruas së tij 17-vjeçare është dënuar me tetë vjet burg në Iran, thotë gjyqësori.

Imazhet që publikoi Sajjad Heydari teksa po mbante kokën e prerë të gruas së tij, Mona, pas të ashtuquajturës “vrasje nderi” vitin e kaluar, ngjalli reagimin e masës.

Një zëdhënës i gjyqësorit tha se lehtësimi i dënimit erdhi për shkak se prindërit e Monës e kishin “falur” atë për vrasjen në vend që të kërkonin hakmarrje.

Mona ishte martuar me të që në moshën 12-vjeçare dhe kishte sjellë në jetë djalin e tyre kur ishte vetëm 14-vjeçare. U raportua se ajo ishte arratisur në Turqi sepse bashkëshorti i saj ushtronte dhunë në familje si dhe ia kishte refuzuar kërkesën për divorc. Ajo ishte kthyer në Iran disa ditë para vrasjes së saj në shkurt të vitit të kaluar, sepse raportohet se ajo kishte marrë garanci nga familja e saj se do të ishte e sigurt.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Massoud Setayeshi u tha gazetarëve të mërkurën se Sajjad Heydari ishte dënuar me shtatë vjet e gjysmë burg për vrasje dhe me tetë muaj të tjerë për sulm. Ai shpjegoi se vendimi ishte në përputhje me ligjin iranian, sipas të cilit vrasja me dashje dënohet me vdekje nëse familja e viktimës nuk e fal vrasësin. Kunati i Monës u dënua me 45 muaj për bashkëpunim në vrasje, njoftoi gjyqësori.

Pas vrasjes së saj, në drejtim të gjyqësorit u bënë një sërë kërkesash për një ligj që synon parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave./UBTNews/

Exit mobile version