Antropologia Fariba Adelkhah është riburgosur në Iran, kështu tha komiteti i saj mbështetës në një deklaratë ndërsa Parisi paralajmëroi se burgimi i saj do të “ulë besimin” midis vendeve.
“Me tronditje dhe indinjatë të madhe jemi informuar se Fariba Adelkhah…është riburgosur në burgun e Evin”, tha komiteti i saj mbështetës.
Adelkhah u arrestua në Teheran në vitin 2019 dhe u dënua me pesë vjet burg për akuza të sajuara, thanë kolegët e saj.
“Qeveria iraniane po e përdor në mënyrë cinike kolegen tonë për qëllime të jashtme ose të brendshme që mbeten të errëta dhe që nuk kanë të bëjnë fare me aktivitetet e saj”, tha komiteti i saj mbështetës në një deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Francës theksoi se dënimi i Abdelkhah është “politik dhe arbitrar” dhe kërkoi lirimin e saj të menjëhershëm.
Adelkhah ishte në arrest shtëpiak që nga tetori 2020 me një byzylyk elektronik.
“Vendimi për t’u kthyer në burg, të cilin ne e dënojmë, mund të ketë vetëm pasoja negative në marrëdhëniet midis Francës dhe Iranit dhe të zvogëlojë besimin midis dy vendeve tona”, tha ministria e jashtme.
Riburgimi i saj vjen ndërsa bisedimet për të rikthyer palët në Marrëveshjen Bërthamore të Iranit vazhdojnë, me qeverinë franceze që tregoi në fillim të kësaj jave se negociatat po ecnin shumë ngadalë.
Ka disa raste të qytetarëve me shtetësi të dyfishtë dhe shtetasve të huaj të ndaluar në institucionet në Iran.
Burgosja e britanezes me origjinë nga Irani, Nazanin Zaghari-Ratcliffe kishte bërë bujë, pasiqë burgosja e saj lidhej me një borxh që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i kishte Iranit./UBTNews/