Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e Bullgarisë, Hristo Gudjev.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi, ambasadori Gudjev e ka uruar Konjufcën për detyrën e re dhe konstituimin e institucioneve të reja të vendit, duke konfirmuar njëherësh edhe gatishmërinë e Bullgarisë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
Gudjev ritheksoi veçmas gatishmërinë e bashkëpunimit ndërparlamentar, si dhe përkrahjen e shtetit bullgar për perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Kryekuvendari Konjufca, duke e falënderuar për mbështetjen ndaj Kosovës, e ka uruar ambasadorin Gudjev për mbajtjen e zgjedhjeve të suksesshme në Bullgari, si dhe ka shfaqur shpresën për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet e reja të shtetit bullgar, me theks të veçantë në kuadër të shkëmbimit të përvojave në fusha të ndryshme ekonomike, arsimore e kulturore.
Situata me pandeminë dhe përpjekjet për sigurimin e vaksinave ishte po ashtu në fokus të takimit, me ç’rast u konstatua se lufta kundër pandemisë mbetet prioritet kryesor i dy shteteve./UBTNews