UBT News

​Bullgaria i propozon Maqedonisë së Veriut projekt-marrëveshje për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndëkufitar

Qeveria bullgare i ka dërguar Republikës së Maqedonisë së Veriut një projekt-marrëveshje për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar që do të lidhë dy vendet, ka thënë të martën Ministria e Transportit dhe Komunikimit.

Propozimi sugjeron që të dyja qeveritë të marrin angazhime të qarta dhe specifike për ndërtimin e tunelit, i cili është një komponent kyç i Korridorit 8 të Transportit Pan-Europian.

Pasi të nënshkruhet, marrëveshja, e përgatitur nga Ministria e Transportit, do të trajtojë aspektet teknike, financiare, ligjore dhe organizative të ndërtimit të tunelit, në përputhje me ligjet e të dy vendeve dhe rregulloret evropiane.

Vendet do të bien dakord se kush do të jetë përgjegjës për ndërtimin e tunelit, menaxhimin e tenderëve publikë dhe mbikëqyrjen e ndërtimit. Autoritetet hekurudhore nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të krijojnë grupe të përbashkëta pune për të përgatitur dokumentet e nevojshme për procedurat e tenderit.

Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, të dy vendet duhet t’i dërgojnë Komisionit Evropian dhe institucioneve financuese një afat kohor të përbashkët për ndërtimin. Ata do të punojnë për të siguruar financimin e BE-së dhe NATO-s për tunelin dhe infrastrukturën hekurudhore përkatëse, duke ndjekur standardet e Rrjetit Trans-Europian të Transportit (TEN-T).

Bullgaria është e gatshme të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut për tekstet e propozuara dhe të vazhdojë me nënshkrimin e marrëveshjes sa më shpejt të jetë e mundur, ka theksuar Ministria e Transportit.

Exit mobile version