Prokurorët bullgarë thanë se po mbledhin prova rreth përfshirjes së mundshme të gjashtë rusëve në katër shpërthime midis viteve 2011 dhe 2020 në depot bullgare të armëve, ku ruheshin municione për eksport në Ukrainë dhe Gjeorgji.
Një zëdhënëse tha se prokurorët mund të supozojnë në mënyrë të arsyeshme se ekzistojnë lidhje midis shpërthimeve në Bullgari, përpjekjes për helmim të tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev në vitin 2015 dhe shpërthimeve të depove të municioneve në Republikën Çeke në 2014.
Gjashtë rusët ishin në Bullgari rreth datave kur ndodhën shpërthimet në depot e armëve dhe pati gjithashtu përpjekje për të helmuar zotin Gebrev, tha zëdhënësja e prokurorisë Siyka Mileva në një konferencë për shtyp të mërkurën.
“Provat e mbledhura deri tani të çojnë, me një shkallë të lartë besueshmërie, në përfundimin se qëllimi i veprimeve të shtetasve rusë ishte të ndalnin furnizimet e Gjeorgjisë dhe Ukrainës me municione,” tha zëdhënësja.
“Po mblidhen prova mbi përfshirjen e këtyre gjashtë shtetasve rusë,” tha ajo.
Ukraina ka patur përplasje me Rusinë që nga viti 2014, kur rajoni i saj i Krimesë u aneksua nga Moska dhe separatistët e mbështetur nga Rusia filluan një rebelim në Ukrainën lindore. Tensionet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë kanë qenë të larta që nga lufta e tyre në vitin 2008.
Zëdhënësja tha se prokurorët po bashkëpunojnë me homologët në Republikën Çeke për të vendosur lidhje të mundshme midis shpërthimeve në Bullgari dhe atyre të vitit 2014 në depon çeke, ku gjithashtu ruheshin municione në pronësi të zotit Gebrev.
Aludimet
Moska i ka hedhur poshtë aludimet çeke si absurde ndërsa të mërkurën, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov hodhi poshtë hetimet në Bullgari. Ai u tha gazetarëve: “Ose pala bullgare nuk dinte asgjë dhe vetëm tani, pasi Republika Çeke njoftoi për incidentin e vitit 2014, vendosi t’ua kalonte çekëve dhe të hetonte më tej në histori, ose ata e dinin gjatë gjithë kësaj kohe por nuk e bënë publike për një arsye ose një tjetër.”
Zonja Mileva nuk i përmendi emrat e shtetasve rusë dhe as nuk dha hollësi të tjera rreth tyre, por tha se tre rusë të cilët janë akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë të zotit Gebrev ka të ngjarë të kenë qenë agjentë të zbulimit.
Prokurorët thanë se asnjëri nga shpërthimet, ai i vitit 2011 në një depo armësh në pronësi të kompanisë EMCO të zotit Gebrev, dy në kompaninë shtetërore të armëve VMZ në vitin 2015 dhe një i katërt i vitit 2020 në prodhuesin privat të armëve Arsenal, nuk kishte shkaqe të dukshme teknike.
Shpërthimet u komanduan që të gjitha nga distanca dhe erdhën pas zjarreve që autorët me sa duket i kishin planifikuar për t’u dhënë kohë punëtorëve të largoheshin nga zona dhe të shmangnin viktimat, tha zonja Mileva.
“Në të katër shpërthimet, prodhimi i destinuar për eksport në Gjeorgji dhe Ukrainë u shkatërrua,” tha ajo.
Në një deklaratë, EMCO tha se municionet e shkatërruara në depon e kompanisë në vitin 2011 nuk ishin të destinuara për eksport në Gjeorgji. Kompania mohoi që shpërthimi në fjalë të kishte ndonjë lidhje me ato në firmën shtetërore VMZ. EMCO u bëri thirrje prokurorëve të kërkojnë arsyet e vërteta të shpërthimeve.
Javën e kaluar, autoritetet çeke urdhëruan shumicën e stafit diplomatik rus në Pragë të largohej, pas akuzave që ngritën se pas shpërthimeve të depove të municioneve qëndronin agjentë rusë. Rusia dëboi një numër diplomatësh çekë si hakmarrje. Bullgaria ka shprehur solidaritet me Pragën./ VOA