Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i ka bërë thirrje zyrtare Qeverisë së Kosovës që të aplikojë një model lehtësues për qytetarët e Luginës së Preshevës gjatë zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Pajaziti ka theksuar se ndonëse mbështet vendosjen e rendit ligjor, realiteti specifik i shqiptarëve të Luginës kërkon fleksibilitet.
Kreu i Bujanocit vlerësoi se rregullat e reja janë të domosdoshme për të parandaluar keqpërdorimet dhe strukturat paralele, por shprehu shqetësimin se zbatimi i tyre pa dallim mund të dëmtojë lidhjet jetike të qytetarëve me Kosovën.
“Lidhjet e tyre janë shpirtërore, familjare, arsimore dhe në përgjithësi jetike për përditshmërinë e tyre. Një numër i madh qytetarësh nga Lugina jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë,” deklaroi Pajaziti.
Sipas tij, një trajtim i ngurtë ligjor mund të ketë pasoja indirekte, duke përfshirë ndikimin në procesin e ndjeshëm të pasivizimit të adresave në vendbanimet e tyre origjinale. Pajaziti sugjeroi që Prishtina zyrtare të ndjekë shembujt e mëparshëm të bashkëpunimit, siç ishte rasti i përjashtimit nga pagesa e sigurimit të automjeteve.
Kryetari Pajaziti u shpreh i bindur se institucionet e Kosovës nuk kanë qëllim dëmtimin e bashkëkombasve, por kërkoi një “zgjidhje të balancuar” që ruan zbatimin e ligjit duke marrë parasysh nevojat e përditshme të shqiptarëve të Luginës.
Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në veri i cili hyri në fuqi nga dje, më 15 mars 2026 , ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
