Kombëtarja e Shqipërisë po zhvillon përgatitjet e fundit për sfidën e rëndësishme kundër Serbisë, që do të luhet më 11 tetor në Leskovc.
Në një prononcim për mediat, sulmuesi Armando Broja u shpreh se atmosfera në ekip është shumë pozitive dhe se skuadra është e bashkuar për të dhënë maksimumin në fushë.
“Siç tha edhe Ajeti, është një ndeshje shumë e rëndësishme. Jemi të fokusuar dhe të përqendruar. Do të dëgjojmë trajnerin dhe do të japim gjithçka për të marrë fitoren,” – tha Broja.
I pyetur për mungesën e golit, ai theksoi se objektivi kryesor është suksesi i skuadrës: “Sigurisht që kam qejf të shënoj, por për mua më e rëndësishme është që Shqipëria të fitojë. Dua të ndihmoj me gola, pasime apo çdo mënyrë tjetër që mundem. Më mungon goli, por fokusi im është tek ekipi dhe tek 3 pikët.”
Sa i përket objektivit për t’u kualifikuar në Botëror, Broja u shpreh optimist: “Kemi shanse reale. Grupi është i vështirë, me Anglinë dhe Serbinë, por do të luftojmë deri në fund. Besojmë te forca jonë dhe te mundësia për të realizuar ëndrrën e Botërorit.” /A.Z/UBT News/