UBT News

British Vogue përshëndet epokën e re me nëntë modele afrikane në kopertinë

British Vogue ka përshëndetur një epokë të re që ka në qendër modën afrikane. Numri i shkurtit i revistës përmban nëntë modele me origjinë afrikane në kopertinën e saj, duke përfshirë Adut Akech.

Duke iu referuar kopertinës “Supers” të Peter Lindbergh nga viti 1990 e cila prezantoi botën me idenë e supermodeles, fotografia është një sfidë për industrinë tradicionale e cila kryesisht që nga vrasja e George Floyd, ka qenë nën presion për të ndryshuar dhe të bëhet më gjithëpërfshirëse dhe më e larmishme.

Ka pasur transparencë rreth diskriminimit në botimet e modës dhe profilizimin racor në dyqane, ndërsa diversiteti në pasarelë është rritur. Sipas raportit vjetor të diversitetit të Fashion Spot, 43% e modeleve që ecën gjatë shfaqjeve vjeshtë/dimër të 2021 ishin modele me ngjyrë.

“E di që ka kaq shumë vajza të vogla me ngjyrë që do ta shikojnë këtë kopertinë dhe do të ndjejnë diçka. Shpresoj që t’ju bëjë të ndiheni të para, të dëgjuara dhe të lumtura ashtu si unë”, ka shkruar Nyagua Ruea, një nga modelet që shfaqet në revistë.

Ruea dhe Akech janë paraqitur së bashku me Anok Yai, Majesty Amare, Amar Akway, Janet Jumbo, Maty Fall, Abény Nhial dhe Akon Changkou.

Kryeredaktori i British Vogue, Edward Enninful, tha se fotografia ishte një deklaratë e rëndësishme e anti-tokenizmit.

“Jo më vetëm një ose dy vajza me lëkurë të errët në prapaskenë, por një mori modelesh të njohura zunë një vend domethënës, thelbësor dhe të barabartë mes grave më të suksesshme që punojnë në modë sot. Do të thotë shumë për mua ta shoh atë”, tha ai.

Fotografi i kopertinës, Rafael Pavarotti, e quajti atë një “festim të grave, të matriarkatit dhe të bukurisë së grave me ngjyrë”.

Exit mobile version