Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi sot se pushtimi i Kievit mbetet qëllimi kryesor ushtarak i Rusisë, ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë në veri të kryeqytetit ukrainas.
Sipas informacioneve të fundit të shërbimeve sekrete britanike të mbrojtjes, rezistenca e ashpër ukrainase ka ndaluar përparimin e forcave ruse, por pushtimi i Kievit mbetet qëllimi primar forcave ushtarake ruse në javët e ardhshme.
“Forcat ruse që përparojnë drejt qytetit nga verilindja kanë ngecur. Forcat që përparojnë nga Hostomel në veriperëndim janë ndalur nga rezistenca e ashpër ukrainase. Shumica e forcave ruse janë ende më shumë se 25 kilometra nga qendra e qytetit”, shkroi kjo ministri në Twitter.
Më herët, Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se forcat ruse po përparonin nga drejtimi i Krimesë dhe se ata ende po përpiqeshin të kapërcenin Nikolaevin, ndërsa tentonin të lëviznin në perëndim drejt Odesës, duke shtuar se forcat ruse kishin bërë përparim të vogël javën e kaluar.
“Bllokada e bregdetit ukrainas ka shumë të ngjarë të përkeqësojë situatën humanitare në Ukrainë dhe të parandalojë që ushqimet bazë të arrijnë tek populli ukrainas”, tha ministria.