UBT News

Britania e Madhe dënon deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq për Kosovën

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, të cilat kanë nxitur reagime të shumta pas komenteve të saj lidhur me Kosovën.

Përmes një deklarate të publikuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Zyra për Punë të Jashtme e Britanisë theksoi se referencat për spastrimin etnik të Kosovës janë plotësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.

“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë tërësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet britanike vlerësuan se deklarata të tilla rrezikojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione në rajon, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë për një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike.

“Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë këtë gjuhë qartë dhe pa asnjë mëdyshje”, thuhet më tej.

Në deklaratë, Mbretëria e Bashkuar mirëpriti edhe faktin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka hedhur poshtë komentet e ministres Paunoviq./A.K/

Exit mobile version