UBT News

Breshëri dëmton rreth 90% të të mbjellave në Istog

Stuhia e fuqishme e breshërit që goditi komunën e Istogut ka shkaktuar dëme materiale në sektorin e bujqësisë.

Siç raporton RTK, vlerësimet fillestare të autoriteteve lokale tregojnë se rreth 90 për qind e sipërfaqeve të mbjella në këtë territor mund të jenë prekur nga moti i ligë.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Istogut, Artan Gegaj, bëri me dije për RTKlive se, ndonëse ende nuk ka një bilanc përfundimtar, stuhia ka dëmtuar një pjesë të madhe të kulturave bujqësore.

Ai njoftoi se nga mëngjesi i së martës do të formohen komisionet përkatëse për të dalë në terren me qëllim evidentimin e saktë të dëmeve dhe identifikimin e fermerëve të prekur.

Sipas Gegës, Komuna e Istogut dhe kryetari Ilir Ferati do të angazhohen për t’u dalë në ndihmë fermerëve gjatë procesit të vlerësimit. Gjithashtu, ai i bëri thirrje Ministrisë së Bujqësisë për mbështetje emergjente, duke theksuar se “dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme”. /RTK/

Exit mobile version