UBT News

Breshëri dëmton dhjetëra hektarë me të mbjella në Skenderaj – Drejtoria e Bujqësisë nis vlerësimin e dëmeve

Breshëri dhe moti i ligë që goditi Komunën e Skenderajt një ditë më parë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi. Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Skenderaj, Sabit Ferizi, i shoqëruar nga zyrtarët e drejtorisë, ka zhvilluar vizita në terren në fshatrat Vajnik, Burojë, Likoc dhe Izbicë për të parë nga afër gjendjen e kulturave të dëmtuara të drithërave, pemëve dhe perimeve. Sipas vlerësimeve të para, vetëm në fshatin Vajnik janë dëmtuar rreth 60 hektarë të mbjella me grurë.

Gjatë inspektimit në terren, drejtori Sabit Ferizi u shpreh se situata e krijuar kërkon ndërhyrje të shpejtë për t’u dalë në ndihmë bujqve të dëmtuar.

“Pamja në terren është me të vërtetë e rëndë. Vetëm në fshatin Vajnik kemi rreth 60 hektarë grurë të dëmtuar plotësisht nga breshëri, pa llogaritur pemët dhe perimet në fshatrat e tjerë. Ne jemi pranë fermerëve në këtë moment të vështirë; procesi i pranimit të kërkesave ka filluar sot dhe komisionet tona do të jenë në çdo arë e pemishte për të bërë vlerësimin e saktë të çdo dëmi,” tha Ferizi.

Nga dita e sotme, fermerët e zonave të prekura kanë filluar zyrtarisht paraqitjen e kërkesave, ndërsa Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore pritet të dalë së shpejti në terren për verifikimin e detajuar.

Drejtori Ferizi konfirmoi se hapat procedurialë do të ndiqen me shpejtësi për t’i hapur rrugë kompensimit nga niveli qendror.

“Pasi të përfundojmë raportin dhe ta miratojmë në Kuvendin Komunal, do t’i drejtohemi menjëherë Komisionit Qendror Qeveritar. Do të bëjmë të pamundurën që raporti të procedohet sipas rregullave ligjore dhe fermerët tanë të kompensohen për humbjet e pësuara,” përfundoi ai. /E.A/

 

Exit mobile version