Shtëpia e dikurshme e stilistit të vrarë, Gianni Versace, ka filluar të tërheqë një numër të konsiderueshëm vizitorësh, të cilët në shumicën e rasteve, mendojnë se është një muze, apo shtëpi private, por në fakt tashmë është një hotel.
Një hotel, ku mysafirët mund të flenë në dhomën e gjumit të Gianni Versacet, ose të motrës së tij Donatella, apo edhe në suitën ku qëndronte Madonna në vitet ’90.
Vila madhështore barok ka intriguar njerëzit që nga vdekja e Gianni Versace, kur ai u qëllua për vdekje, në shkallët e rezidencës së tij më 1997. Megjithatë, edhe tani, 20 vjet më vonë, nën pronësinë e Jordache Enterprises, vila ruan shkëlqimin e jashtëzakonshëm.
Hoteli është i përbërë nga 10 apartamente, një restorant dhe një bar, një sallë pritjeje që mund të përdoret për takime, një tarracë dhe një kopsht në formë mozaiku, me një stil mesdhetar.
Kudo në rezidencë mund të shohësh ikona të mitologjisë greke, mes tyre Meduza që ka një vend të rëndësishëm në logon e markës Versace. Meduza gjendet edhe në pishinën e vilës, 54 metra të gjatë, e bërë nga më shumë se një milion pllaka mozaiku, mijëra prej tyre prej ari 24 karat. Ky mozaik u punua në Kalabri dhe më pas u dërgua në Miami, ku u rindërtua me përpikëri.
Versace e bleu këtë rezidencë në vitin 1992, pasi u mahnit nga arkitektura spanjolle e shtëpisë së madhe. Rreth 32 milionë dollarë kushtuan rinovimet që zgjatën për tri vjet dhe e shndërruan pronën në një vend të përshtatshëm për një “mbret të stilit”.
Ashtu si me shumë ndërtesa të famshme, “Casa Casuarina” ka pjesën e saj të misterit. Thuhet se rezidenca ka dyer të fshehta dhe rrugëkalime në të gjithë pallatin.
Gjithashtu, mendohet se Versace mbante një kafaz pëllumbash në tarracën e vilës dhe i përdorte ata për t’u dërguar shënime miqve.
Detajet janë të pakta në lidhje me këto thashetheme, por ajo që është e sigurt, është se vila do të vazhdojë të intrigojë vizitorët. /a2news/