UBT News

Brenda një dite raportohen disa raste të dhunës në familje nëpër Kosovë

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në disa raste të dhunës në familje në rajone të ndryshme, ku janë përfshirë sulme fizike, psikike dhe kërcënime.

Në Pejë, një burrë ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi është sulmuar fizikisht nga një burrë tjetër. Palët janë shoqëruar në stacionin policor dhe, pas marrjes në pyetje, janë liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunës fizike dhe psikike është shënuar në Deçan, ku një grua ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër. Pas intervistimit nga policia, e dyshuara është dërguar për trajtim mjekësor.

Situatë e ngjashme është raportuar edhe në Prishtinë, ku një grua është sulmuar nga një grua tjetër. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara, pas arrestimit dhe inicimit të rastit, është liruar me urdhër të prokurorit.

Ndërkaq, në Veri të Mitrovicës, një grua ka denoncuar një burrë (shtetas i Serbisë) për kanosje përmes mesazheve në telefon. Policia ka nisur hetimet për këtë rast në konsultim me prokurorinë kompetente.

Exit mobile version