UBT News

Brazili refuzon të lirojë më herët lojtarët grumbulluar, probleme për Real Madridin

Drejtori i Konfederatës së Futbollit të Brazilit Juninho e ka konfirmuar që Brazili nuk do të lirojë më herët nga grumbullimi lojtarët e Real Madridit, derisa të përfundojnë ndeshjet me kombëtaret.

Kombëtaret e Amerikës së Jugut i rikthehen aksionit këtë javë, ku ndeshjet e radhës do të jenë të vlefshme për fazën kualifikuese drejt Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Brazili veçse e ka siguruar kualifikimin për Kupën e Botës që mbahet në këtë vit, dhe renditen në pozitën e parë të tabelës së CONMEBOL, duke arkëtuar plot 35 pikë.

Ndeshjet e radhës për Brazilin janë kundër Ekuadorit nesër me fillim nga ora 22:00, dhe ndaj Paraguait me datën 1 shkurt.

Në anën tjetër, gjigandi spanjoll Real Madrid do të zhvillojë ndeshje më 3 shkurt në Kupën e Mbretit kundër Athletic Bilbaos, ku lojtarët si Casemiro, Eder Militao, Rodrygo dhe Vinicius Junior nuk do të jenë prezent pasi që janë ftuar në grumbullim me Brazilin.

Sidoqoftë, Juninho insistoi që edhe nëse lojtarët nuk do të paraqiten në ndeshjet e radhës, ata do të mbesin në Brazil deri më 2 shkurt, gjë që nënkupton që gjasat janë të pakta që “Galaktikët” të kenë katër yjet e tyre për ndeshjen ndaj Athletic Bilbaos.

“Ne nuk do t’i lirojmë lojtarët. Lojtarët duhet të jenë me ne deri në fund të periudhës së FIFA-s, me 2 shkurt. Ndeshja e parë do të jetë vendimtare nëse ata do të zhvillojnë të dytën”, tha Juninho.

“Ata do të jenë me ne deri në fund. Ne nuk dëshirojmë që t’i lirojmë ata. Nuk mund të bëjmë përjashtime pasi që kemi pasur kërkesa edhe nga klube të tjera. Kemi pak ditë me lojtarët. Duhet të marrim avantazh këtë vit pasi që kanë filluar përgatitjet për Kupën e Botës”, shtoi më tej drejtori i Konfederatës së Futbollit të Brazilit.

Juninho tregoi që Brazili e ka refuzuar kërkesën e Real Madridit për nder të korrektësisë ndaj klubeve të tjera.

Exit mobile version