Agjensia rregullatore shëndetësore e Brazilit (Anvisa) të hënën kundërshtoi përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit “Sputnik V” të prodhuar nga Rusia duke përmendur se nuk ka të dhëna të mjaftueshme rreth vaksinës.
“Për shkak të mungesës së të dhënave të qëndrueshme dhe të besueshme, Bordi i Drejtorëve të Anvisa vendosi unanimisht të mos rekomandojë importimin e jashtëzakonshëm të vaksinës ruse Sputnik V,” thuhet në deklaratën e Anvisa, shkruan Euronews.
Anvisa tha se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për “kontrollin e cilësisë, sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës” dhe se një mision inspektimi i dërguar në Rusi nuk ishte gjithashtu në gjendje të “identifikonte prodhuesit e inputeve biologjike farmaceutike të përdorura në prodhimin e vaksinës ruse”.
“As nuk u identifikuan kushtet e prodhimit që do të tregonin se ky produkt prodhohen dhe kontrollohen vazhdimisht”, duke nënvizuar gjithashtu se ekipit të saj të inspektimit “iu mohua hyrja në mjediset e Gamaleya, instituti ku zhvillohet vaksina”.
“Ne kurrë nuk do të lejojmë që miliona brazilianë të ekspozohen ndaj produkteve pa verifikimin e duhur të cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit ose, të paktën, duke pasur parasysh situatën serioze që po kalojmë, se ekziston një raport i favorshëm rrezik-përfitim”, tha presidenti i Anvisa, Antonio Barra Torres.
Brazili ka regjistruar rreth 392 mijë vdekje nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë – numri i dytë i vdekjeve në botë pas Shteteve të Bashkuara.
Sputnik V e hodhi poshtë vendimin, duke shkruar në Twitter se mendimi i pafavorshëm është “për fat të keq, i një natyre politike” dhe nuk ka “asnjë lidhje me qasjen në informacion ose shkencë”.
Sipas prodhuesit, vaksina deri tani është shpërndarë në 60 vende të botës, duke përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Hungarinë dhe Sllovakinë.