Rifat Brahimaj i cili sot është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë në QKUK këtë vendim e konsideron të padrejtë dhe të përgatitur karshi tij, ndërsa paralajmëron edhe procedura ligjore.
Brahimaj në një deklaratë për KP thotë se ende nuk e ka pranuar zyrtarisht vendimin për lirim nga pozita e ushtruesit të detyrës se drejtorit të Kardiokirurgjisë.
Sipas tij, ky vendim ka qenë i përgatitur pasi vendimi ka ardhur ende pa dalë rezultatet nga Inspektorati Shëndetësor dhe organet tjera lidhur me rastin e vdekjes së pacientit që ndodhi ditë më parë në këtë klinikë.
“E di që ajo është bërë zyrtare në faqe të internetit të ShSKUK-së. Unë ende nuk e kam marr vendimin pastaj unë do t’i ndjek procedurat ligjore ndaj këtij vendimi qe mendoj qe është i padrejtë dhe është mirë i përgatitur sepse u marr një vendim ende pa dal rezultatet e Inspektoratit Shëndetësor as të organeve të tjera që po merreshin me çështjen që ndodhi në kohën e fundit prandaj ishte paraprakisht me gjasë i përgatitur. Por unë do ta bëjë një reagim për të gjitha këto kur të marr vendimin për lirim nga detyra”, tha ai.
E gjatë ditës së djeshme ushtruesja e detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu kishte takuar kardiokirurgët e QKUK-së.
Por, Rifat Brahimaj thotë se nuk kishte marrë ftesë për të qenë i pranishëm në këtë takim, ndonëse thekson se një takim e kishte mbajtur vetëm me Zejnullahun.
“Unë kam mbajtur takim ndaras me të, ajo pastaj ka dëshiruar një takim pa mua, mua nuk më ka ftuar në atë takim”, tha ai.
Kujtojmë që para pak ditës kardiokirurgu, Kushtrim Shala kishte publikuar një ndërhyrje sipas metodës “David” por që më pas pacienti kishte ndërruar jetë.
Pas kësaj kishte reaguar tashmë ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, Rifat Brahimaj, i cili kishte kontestuar aftësinë e kardiokirurgut Shala.
Pas shkarkimit të Brahimajt, si ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës se Kardiokirurgjisë është emëruar Shpejtim Shurdhiqi.