UBT News

Brad Pitt shpreh dëshirën të luajë rolin e keqbërësit në filmin e ri të James Bond

Aktori amerikan Brad Pitt ka thënë se do të dëshironte të luante një personazh negativ në filmin e ri të James Bond, ku Robert Pattinson pritet të marrë rolin e agjentit 007.

Pitt foli për “Extra TV” gjatë premierës së filmit “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, të hënën në Los Angeles, ku vlerësoi edhe përzgjedhjen e Pattinsonit për rolin e spiunit britanik.

“Robert… E di çfarë, do të më pëlqente shumë. Javieri im e bëri një punë të shkëlqyer. Standardet janë të larta, por unë do ta bëja”, deklaroi Pitt.

Aktori iu referua bashkëpunëtorit të tij në filmin “F1”, Javier Bardem, i cili luajti personazhin negativ Raoul Silva në filmin e James Bond “Skyfall”, të vitit 2012.

Pitt shprehu gjithashtu mbështetje për zgjedhjen e Pattinsonit si agjenti i ri 007.

“Më pëlqen kjo ide. Më pëlqen ajo që bën dhe çfarë lloj rolesh zgjedh. Mendoj se është i duhuri. Është një vendim i mirë”, tha ai.

Pattinson u njoftua të hënën si aktori i shtatë që do të interpretojë James Bondin. Ai do të jetë protagonist në filmin e 26-të të kësaj serie, i cili do të drejtohet nga Denis Villeneuve, me skenar të Steven Knight.

Ai merr rolin nga Daniel Craig, i cili e interpretoi për herë të fundit agjentin 007 në vitin 2021.

Ndërkohë, në filmin e ri, Pitt rikthehet në rolin e kaskaderit Cliff Booth nga filmi i Quentin Tarantinos “Once Upon a Time in Hollywood”. Për këtë rol, ai fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor në vitin 2020./A.K/

Exit mobile version