UBT News

​BQK për vitin 2025 parasheh rritje ekonomike prej 4.1%

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar raportin e stabilitetit financiar (RSF), duke ofruar një pasqyrë të thelluar mbi gjendjen e sistemit financiar të vendit, sfidat aktuale dhe pritjet për të ardhmen.

Raporti konfirmon stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, të mbështetur nga mbikëqyrja prudente, menaxhimi efektiv i rrezikut dhe korniza e rregulloreve ligjore. Megjithatë, BQK paralajmëron se ndikimet nga pasiguritë ekonomike globale kërkojnë monitorim dhe reagim të vazhdueshëm.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës u rrit me 4.4% gjatë vitit 2024, e nxitur nga konsumi privat, investimet dhe eksportet. Inflacioni ra në 1.6%, kryesisht për shkak të uljes së çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të importuara. Për vitin 2025, parashikohet një rritje prej 4.1% dhe inflacion mesatar prej 3.3%.

Sistemi bankar shënoi zgjerim të konsiderueshëm, me një rritje të kreditimit prej 18.3%, si pasojë e kërkesës së lartë nga familjet dhe bizneset, si dhe përmirësimit të kushteve kreditore.

Raporti thekson se treguesit e qëndrueshmërisë financiare janë brenda standardeve rregullative dhe se rezultatet e stres-testeve tregojnë një sektor të aftë për t’u përballur me goditje makroekonomike.

Likuiditeti mbetet i lartë dhe i mbështetur nga rritja e depozitave të sektorit privat. Po ashtu, niveli i kapitalizimit i sektorit bankar vlerësohet si adekuat për të përballuar rreziqet potenciale.

Megjithëse performanca fiskale ishte pozitive dhe raporti i borxhit publik ndaj BPV-së ka rënë, deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe rritja e varësisë nga remitancat dhe investimet e huaja mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë.

BQK thekson se politika makroprudenciale do të vazhdojë të jetë në funksion të parandalimit të rreziqeve sistemike dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

Exit mobile version