Të gjitha prodhimet filmike, si ato zyrtare të prodhuara nga Kinostudio “Shqipëria e re” dhe Televizioni Shqiptar, ashtu edhe prodhimet e shkollave të filmit dhe filmat e prodhuar nga nisma të lirë të kineastëve, tashmë janë të përfshira në “Enciklopedinë e filmit shqiptar 1904-2022”, me autore Irini Asqeri.
Ky projekt monumental u promovua në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke sjellë një përmbledhje të pasur të historisë filmike shqiptare. Enciklopedia, e cila përfaqëson një punë të palodhur hulumtuese, është rezultat i më shumë se 10 viteve kërkimesh dhe sistemimi të dokumenteve dhe të dhënave arkivore. Kjo punë e rëndësishme është realizuar kryesisht në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku Irini Asqeri ka punuar edhe si arkiviste.
E botuar nga shtëpia botuese “Jozef”, enciklopedia ofron një pasqyrë të hollësishme dhe të saktë mbi të gjitha prodhimet filmike të periudhës 1904-2022. Përveç listës të prodhimeve filmike, Irini Asqeri ka përfshirë gjithashtu një kapitull të gjerë mbi fillimet e kinematografisë shqiptare, duke ofruar një pamje të historisë së Shqipërisë të paraqitur për herë të parë përmes syrin e kamerës.
Ky botim është një kontribut i rëndësishëm për arkivimin dhe dokumentimin e trashëgimisë filmike të vendit dhe një mundësi e shkëlqyer për studiuesit dhe pasionantët e kinematografisë shqiptare./UBTNews/