UBT News

Botohen veprat e Xhemail Mustafës, një jetë e përkushtuar për dijen dhe atdheun

Në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u promovua kompleti i veprave të Xhemail Mustafës (1953-2000) në pesë vëllime, botuar nga PEN-Qendra e Kosovës.

Ky komplet përfshin veprat: “Një lutje për Prishtinën”, “Mrekullia e shkrimit”, “Metafora e absurdit”, “Trumfi i mendjes” dhe “Iluzionet e politikës”, dhe është përgatitur nën kujdesin e bashkëpunëtorit të tij, Ibrahim Berisha.

Gjatë promovimit u diskutua për jetën dhe veprën e intelektualit Xhemail Mustafa, njohur si njeri i letrave, ndër iniciatorët dhe themeluesit e LDK-së, bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova, i cili u vra para shtëpisë së tij në Prishtinë para 25 vitesh.

Në panelin diskutues morën pjesë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, gazetari Avni Spahiu, profesori Sali Bashota, Ibrahim Berisha dhe Muhamet Hamiti, të cilët vlerësuan lart kontributin intelektual dhe veprimtarinë atdhetare të Mustafës.

Ibrahim Berisha theksoi se vepra e Xhemail Mustafës spikat për autenticitet, thellësi përmbajtësore dhe stil të qartë. Prof. Sali Bashota vuri në dukje rëndësinë e veprës “Një lutje për Prishtinën”, si një nga veprat më të rëndësishme për sfidat që ka përjetuar vendi.

Po ashtu, gazetari Avni Spahiu dhe profesori Muhamet Hamiti theksuan se vepra e Mustafës duhet të lexohet dhe rilexohet, duke reflektuar dimensionin e gjerë të krijimtarisë së tij intelektuale.

Përndryshe, Xhemail Mustafa ishte gazetar, publicist dhe këshilltar politik, një nga figurat më të shquara intelektuale shqiptare në Kosovë, dhe një ndër penat më të fuqishme të LDK-së. Ai u vra më 23 nëntor 2000 pranë banesës së tij në Prishtinë. /A.Z/Foto: Besnik Hamiti/UBT News/

 

Exit mobile version