Sot në Nyon të Zvicrës është mbajtur ceremonia e hedhjes së shortit për “Main Round” në kuadër të kualifikimeve drejt Kampionatit Botëror 2024 në futsall.
Përfaqësuesja e Kosovës është pozicionuar në Grupin 11 së bashku me dy kombëtaret e tjera, Holandën dhe Ukrainën.
Gjithsej 36 shtete ishin pjesëmarrëse në këtë short, të cilat u ndanë në 12 grupe që përbëhen nga tri kombëtare.
Ndeshjet e të gjitha grupeve do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje, kurse fituesit e 12 grupeve dhe katër ekipet më të mira që zënë vendin e dytë do të kualifikohen drejt “Elite Round”.
Në anën tjetër, tetë ekipet e mbetura të vendit të dytë do të luajnë në “play-off”.
Cikli i ndeshjeve do të fillojë nga shtatori i këtij viti dhe përfundon në mars të vitit 2023. Kosova u kualifikua në “Main Round”, pasi doli e dyta në Grupin C të fazës së parë kualifikuese.