Vendimi i Cristiano Ronaldos për t’i dhënë fund karrierës me Kombëtaren e Portugalisë ka nxitur reagime të shumta nga figura të njohura të futbollit, ish-bashkëlojtarë dhe institucione sportive.
Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo i jep fund një kapitulli të jashtëzakonshëm 23-vjeçar me fanellën e Portugalisë, duke u larguar si futbollisti me më së shumti paraqitje dhe gola në historinë e futbollit ndërkombëtar të meshkujve, me 234 ndeshje dhe 146 gola.
Ndër reagimet e para ishte ai i yllit brazilian Neymar, i cili komentoi në publikimin e Ronaldos me një fjalë të vetme: “Lenda” (Legjendë).
Një mesazh emocional erdhi edhe nga Pepe, ish-bashkëlojtari dhe miku i tij i ngushtë te Portugalia dhe Real Madridi. Ish-mbrojtësi portugez e përshkroi rrugëtimin e tyre të përbashkët me fjalët: “Ishte më shumë se futboll. Faleminderit për gjithçka, Cris”.
Edhe Manchester United, klubi ku Ronaldo shkroi një pjesë të rëndësishme të historisë së tij, i kushtoi një mesazh të veçantë, duke e uruar për karrierën e jashtëzakonshme me përfaqësuesen portugeze.
Në mesin e reagimeve ishte edhe ai i FIFA-s, përmes platformës së Kupës së Botës, e cila e falënderoi portugezin për kontributin e tij në skenën më të madhe të futbollit. Ndërkohë, ish-bashkëlojtari i tij te Manchester United, Rio Ferdinand, rikujtoi shifrat mbresëlënëse të Ronaldos: 234 paraqitje dhe 146 gola me Portugalinë.
Një reagim i veçantë erdhi edhe nga Federata Portugeze e Futbollit (FPF), e cila e cilësoi Ronaldon si lider frymëzues, shembull të përkushtimit dhe simbol të shpirtit të përfaqësueses portugeze.
Federata ka bërë të ditur se dëshiron të organizojë një ceremoni të veçantë nderimi për kapitenin historik, duke theksuar se lamtumira e tij nuk duhet të kalojë pa homazhin që meriton.
Gjatë aventurës së tij me Portugalinë, Ronaldo ishte protagonist i disa prej sukseseve më të mëdha në historinë e futbollit portugez. Ai e udhëhoqi përfaqësuesen drejt triumfit në Kampionatin Evropian të vitit 2016, si dhe në dy edicione të Ligës së Kombeve, më 2019 dhe 2025.
Përveç trofeve, ai vendosi edhe një rekord të veçantë, duke shënuar gola në gjashtë edicionet e Kampionatit Botëror në të cilat mori pjesë.
Cristiano Ronaldo nuk ishte thjesht një futbollist për Portugalinë. Për më shumë se dy dekada, ai ishte figura që mbante mbi supe pritshmëritë, presionin dhe shpresat e një kombi të tërë. Fanella me numrin 7 u shndërrua në një simbol të njohur në mbarë botën, ndërsa emri i tij u bë sinonim i një epoke të artë të futbollit portugez.
Tashmë, ai largohet nga përfaqësuesja duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, rekorde që vështirë se do të thyhen dhe momente që do të mbeten gjatë në kujtesën e tifozëve. Fanella mund t’i kalojë brezit të ardhshëm, por kontributi i Cristiano Ronaldos do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së Portugalisë.
D.L
