UBT News

Boshnjaku përqafon stilin e jetës ‘Viking’ pas shikimit të serialeve televizive

Me mjekrën e tij të trashë gri, flokët e thurura dhe një mori armësh mesjetare, “Viking-u i parë” i Bosnjës relaksohet duke hedhur sëpata në papafingon e vilës së tij prej guri.

Gjatë pesë viteve të fundit, Stipe Pleic ka pësuar një transformim të vazhdueshëm në homazh ndaj shfaqjes së njohur televizive “Vikings”.

Kjo filloi pasi Pleic u kthye në shtëpi në Tomislavgrad në Bosnjën jugore pas vitesh pune në kantieret e ndërtimit në Gjermani. Ajo që nisi si shikim i tepruar evoluoi në një obsesion me protagonistin e serialit Ragnar Lothbrok dhe jetën e luftëtarëve nordikë, të cilët nisën bastisje nëpër zona të mëdha të Evropës midis shekujve 8 dhe 11.

“Kam pasur shumë kohë të lirë sepse jetoj vetëm këtu. Më pas kur po shikoja serialin pashë sëpatën e Ragnar, më pëlqeu dhe doja të bëja të njëjtën gjë”, thotë 57-vjeçari.

Duke ndjekur hapat e Ragnarit, ai filloi të bënte armë me dorë, duke stolisur muret e vilës së tij me shpata dhe mburoja. Punëtoria e tij tani i ngjan një seti filmi, i bazuar në serialin “Vikings”.

Në kopshtin e tij, ai ka ndërtuar një varkë me fund të sheshtë, e aftë për të kapërcyer oqeanet – të cilën herë pas here lundron në një liqen aty pranë.

Me kalimin e viteve, ai ka bërë qindra sëpata, shtiza, harqe, mburoja dhe pothuajse çdo gjë tjetër që shihet në shfaqjen televizive. Disa projekte kërkojnë javë pune të përpiktë për t’u përfunduar.

Shumica e sëpatave të tij të punuara me dorë u janë ofruar miqve ose janë shitur, me disa pjesë që arrijnë deri në 300 euro (330 dollarë).

“Dikur fitoja më shumë para në ditë në Gjermani sesa tani në muaj”, tha ai. “Por unë nuk isha i lumtur. Tani jam i lumtur“./UBTNews/

Exit mobile version