Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se ka ndërmarr veprime ligjore ndaj tatimpaguesve, të cilët kanë obligime tatimore të pa shlyera.
Sipas ATK-së, nga aktivitetet e zhvilluara është konfiskuar pasuria e tatimpaguesve, të cilët nuk janë përgjigjur kërkesave ligjore, siç janë lëshimi i letër-kujtesave, dorëzimi i barrëve tatimore në kadastër, pasurinë e paluajtshme, bllokimi i llogarive bankare, bllokime në Thesar dhe në Doganë, vendosja e pengut, kërkesa për ndalesë të personit përgjegjës në kufi, si dhe veprime të tjera të cilat parashihen në Legjislacionin Tatimor.
“Gjatë javës së kaluar ATK ka zhvilluar aksion konfiskimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ky aksion është kryer tek katër subjekte të ndryshme, të cilat kanë detyrime tatimore mbi 900 mijë euro ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në fund, ATK thotë se në vazhdimësi do të ndërmarr veprime të ngjashme, për të gjithë tatimpaguesit të cilët nuk i kryejnë obligimet tatimore, sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat.