Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar treditor në Gaza për t’i mundësuar popullsisë që të vaksinohet kundër virusit të poliomielitit që po përhapet me shpejtësi.
“Unë kërkoj armëpushim të menjëhershëm humanitar treditor për të mundësuar vaksinimin nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) dhe UNICEF (fondi i fëmijëve të OKB-së) – pavarësisht nga negociatat më të gjera. Njerëzimi ynë e kërkon këtë”, shkroi kryediplomati në “X”.
Poliovirusi i tipit 2 (cVDPV2) u zbulua për herë të parë në mostrat e ujërave të zeza në Gaza në muajin korrik. Më 16 gusht, rasti i parë i konfirmuar i poliomielitit në 25 vjet u diagnostikua te një foshnjë 10-muajshe e pavaksinuar, e cila që atëherë ka qenë e paralizuar, por thuhet se është në gjendje të qëndrueshme.
Poliovirusi shkakton një sëmundje, të njohur si polio, e cila në raste të rënda mund të çojë në paralizë të pakthyeshme./UBTNews/