Kryeministri britanik Boris Johnson bëri me dije masat e reja anti-COVID në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Njoftimi erdhi mes frikës në rritje nga varianti i ri Omicron, që sipas Johnson do të dyfishojë të infektuarit për 2-3 ditë.
“Është bërë gjithnjë e më e qartë se Omicron po rritet shumë më shpejt se varianti i mëparshëm Delta dhe po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën,” u tha ai gazetarëve.
Johnson tha se 568 raste të variantit Omicron janë konfirmuar deri më tani në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe se “numri i vërtetë është i sigurt që është shumë më i lartë”.
Johnson u shpreh se Anglia do të “kalojë në planin B” dhe do të rifusë udhëzimet për të punuar nga shtëpia duke nisur nga e hëna, si dhe do të detyrojë përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura.
Nga java e ardhshme, certifikata e gjelbër e COVID-19 që tregon se një person i ka pasur të dyja dozat e vaksinës do të jetë e detyrueshme për të hyrë në klubet e natës dhe vendet me grumbullime masive.
Masat e reja vijnë pas përballjes së qeverisë me kritika referuar një videoje ku dukeshin anëtarë të lartë të stafit të Johnson duke “u tallur” rreth një feste të Krishtlindjeve që shkelte masat anti-COVID.
Videoja rëndon mbi zyrtarët e qeverisë të cilët duken se kanë shkelur rregullat që vetë ata kanë imponuar për popullsinë në Mbretërinë e Bashkuar.