UBT News

Bora eliminon Sigal Prishtinën, avancon bindshëm në gjysmëfinale

Skuadra e Bora Prishtina ka vazhduar formën e shkëlqyer në plejof, duke eliminuar Sigal Prishtina dhe duke siguruar një vend në gjysmëfinale të elitës së basketbollit kosovar.

Në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Pallati i Rinisë dhe Sportit, Bora triumfoi me rezultat të thellë 101:60, duke e mbyllur serinë çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 2:0. Edhe ndeshjen e parë e kishte fituar bindshëm, 105:67.

Ndeshja u vendos që në pjesën e parë, ku Bora krijoi epërsi të madhe prej 51:23. Në vazhdim, skuadra vetëm e menaxhoi avantazhin, duke e thelluar diferencën deri në 41 pikë në fund të takimit.

Më i dalluari në këtë fitore ishte Jordan Dingle me 24 pikë, dy kërcime dhe dy asistime. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Carlton Bragg Jr. me 12 pikë dhe pesë kërcime.

Në anën tjetër, te Sigal Prishtina u veçuan vetëm Arbër Sinani dhe Jon Ismajli me paraqitje dyshifrore. Sinani realizoi 17 pikë, tri kërcime dhe tri asistime, ndërsa Ismajli shtoi 13 pikë, tri kërcime dhe një asistim.

Kjo fitore ka edhe më shumë peshë duke pasur parasysh se vetëm një vit më parë Bora luftonte për mbijetesë në elitë, duke siguruar qëndrimin përmes plejautit. Tani, skuadra prishtinase është shndërruar në një pretendente serioze për titull.

Në gjysmëfinale, Bora do të përballet me Bashkimi, që sezonin e rregullt e përfundoi në vendin e dytë me 48 pikë dhe do të ketë përparësinë e terrenit vendas. Bora e mbylli sezonin e rregullt në pozitën e tretë me 42 pikë, ndërsa Sigal Prishtina u kualifikua në plejof nga vendi i gjashtë me 38 pikë.

Exit mobile version