Kristjan Asllani, mesfushori shqiptar, duket se do të ketë mundësi të luajë titullar më shumë se sa aktualisht në Inter, ku konkurenca është e fortë për një vend në formacionin bazë, për shkak të pranisë së Hakan Çalhanollu. Ky fakt ka shtyrë shumë skuadra të tjera të shprehin interes për Asllanin, dhe një prej tyre është Bologna.
Sipas raporteve nga gazeta e qytetit të Bolognas, “Il Resto Del Carlino”, klubi italian ka identifikuar Asllanin si një prej përforcimeve të mundshme për pjesën e dytë të sezonit, ku Bologna synon t’i afrohet sërish zonës së Ligës së Kampioneve. Në këtë edicion, skuadra po lufton për një vend në këtë kompeticion elitar.
Bologna i ofron mundësinë Asllanit të luajë titullar, një mundësi që do të ishte interesante për mesfushorin shqiptar. Megjithatë, klubi i Bologna është i ndërgjegjshëm se do të jetë e vështirë të sigurohet transferimi i Asllanit, pasi ai mbetet një alternativë e rëndësishme për trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, në betejën për mbrojtjen e titullit dhe një ecuri të suksesshme në Ligën e Kampioneve./UBTNews/