UBT News

Boks: Alban Beqiri shpallet kampion Ballkani, ngre lart flamurin shqiptar në Serbi

Shqipëria ka mbyllur me sukses pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik të Boksit 2024, që u zhvillua në Loznica të Serbisë. Pjesëmarrësit e ekipit kuqezi ishin nëntë boksierë, të cilët konkurruan në tri kategori: për të rritur (2), për të rinj (2), dhe për junior (5). Ky aktivitet ka sjellë rezultate të shkëlqyera, dhe një prej momentëve më të shënuara ishte shpallja kampion Ballkani e Alban Beqirit.

Boksieri shqiptar, Alban Beqiri, fitoi për herë të dytë titullin kampion të Ballkanit në kategorinë e peshave 71 kg, duke treguar një formë të shkëlqyer dhe duke triumfuar pas tre dueleve. Beqiri, i cili është i vetmi boksier shqiptar që ka fituar medalje në Kampionatin Botëror të boksit për të rritur, mposhti në fillim serbin Igor Rogiç, pastaj shënoi fitore të parakohshme ndaj Anis Aliut nga Maqedonia e Veriut. Në finale, ai u përball me ukrainasin Matiakubov, nën-kampion bote dhe kampion Europe, të cilin e mposhti në raundin e dytë, për të ngritur flamurin shqiptar në Serbi dhe për të fituar medaljen e artë.

Për Beqirin, ky sukses është një moment i veçantë, pasi ai e konsideron këtë fitore si një arritje të jashtëzakonshme për boksin shqiptar. “Jam shumë i lumtur që për herë të dytë në kampionatin Ballkanik të boksit për të rritur arrita rezultatin më të lartë, duke i risjellë Shqipërisë një medalje ari për vitin 2024, dhe në prag të festave të 28-29 nëntorit. Jam shumë krenar që e ngre flamurin tonë kombëtar në Loznica të Serbisë”, u shpreh Beqiri pas fitores.

Përveç Beqirit, në këtë kampionat kanë shkëlqyer edhe boksierë të tjerë. Kris Bushi fitoi medalje argjendi në peshën 63.5 kg për të rritur, ndërsa në kategorinë e të rinjve, Besian Karaj u shpall kampion Ballkani, duke fituar medalje ari në peshën 71 kg. Gjithashtu, Stiven Xixi mori medalje bronzi në peshën 54 kg për të rinj, dhe në kategorinë e juniorëve, Kristian Jubani fitoi medalje argjendi, ndërsa Riduan Gashi, Jurgen Lazri dhe Ardit Deliu fituan medalje bronzi./UBTNews/

Exit mobile version