Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.
“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.
Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.
Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.
Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.
Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.
/A.K/
