Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, vizitoi ekspozitën “Sy më Sy”, ku u prit nga drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.
Gjatë vizitës u diskutua për rëndësinë e dokumentimit dhe ruajtjes së kujtesës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përmes dëshmive që sjell, ekspozita “Sy më Sy” synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të fuqizojë përpjekjet për drejtësi, duke vendosur në qendër historitë e guximit, qëndresës dhe dinjitetit të të mbijetuarve.
Ministrja Bogujevci shprehu mirënjohjen e saj për punën shumëvjeçare të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe të Feride Rushitit, duke vlerësuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetjen e të mbijetuarve dhe në ruajtjen e dëshmive që dokumentojnë një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së Kosovës./A.K/
