Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, ka përgëzuar Operën e Kosovës pas premierës së suksesshme të veprave të Giacomo Puccinit, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”, duke e cilësuar mbrëmjen si një ngjarje të veçantë artistike për publikun.
Bogujevci vlerësoi produksionin e realizuar nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe me regji të Luca Ramacciottit, si dhe interpretimin e solistëve, Korit dhe Orkestrës së Operës së Kosovës, të cilët, sipas saj, sollën në skenë një shfaqje të nivelit të lartë artistik.
Ajo theksoi se ky projekt dëshmon edhe një herë zhvillimin e vazhdueshëm të skenës operistike në Kosovë dhe përkushtimin e artistëve për të realizuar produksione cilësore.
Sipas ministres, premierat e dy veprave të Puccinit përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore dhe forcimin e skenës artistike në vend./A.K/
