Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka përgëzuar Baletin Kombëtar të Kosovës për paraqitjen në Itali, duke e cilësuar debutimin në Romë si një tjetër prezantim të suksesshëm të artit kosovar në skenën ndërkombëtare.
Baleti Kombëtar i Kosovës debutoi në Teatro Grande të Accademia Nazionale di Danza di Roma me shfaqjen “Carmina Burana”, nën koreografinë e maestros italian Toni Candeloro.
Sipas Bogujevcit, interpretimi i trupës kosovare u mirëprit me entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve kulturore, artistë dhe personalitete të jetës kulturore në Itali.
“Një tjetër prezantim i shkëlqyer i Baletit Kombëtar të Kosovës në Itali. Përgëzime Baletit Kombëtar të Kosovës për këtë paraqitje dinjitoze”, ka shkruar ministrja.
Turneu i Baletit Kombëtar të Kosovës në Itali do të vazhdojë më 20 korrik, me shfaqjen e radhës që do të mbahet në Lecce./A.K/
