UBT News

Bogujevci: “Krenari dhe emocion i jashtëzakonshëm” për suksesin e filmit “Dua” në Kanë

Filmi “Dua” i regjisores Blerta Basholli është vlerësuar me çmimin “SACD” në kuadër të “Semaine de la Critique” në Festivalin e Filmit në Kanë, duke shënuar një tjetër sukses për kinemanë kosovare në arenën ndërkombëtare.

Lidhur me këtë arritje, ministrja për Kulturë dhe Turizëm, Saranda Bogujevci, ka uruar ekipin e filmit, duke e cilësuar suksesin si një moment me rëndësi të veçantë për vendin.

“Krenari dhe emocion i jashtëzakonshëm”, ka thënë Bogujevci, duke vlerësuar arritjen e filmit në një nga festivalet më prestigjioze të filmit në botë.

Ajo shtoi se ky sukses dëshmon edhe një herë cilësinë dhe potencialin krijues të kinemasë kosovare, si dhe afirmimin gjithnjë e më të madh të artistëve dhe filmbërësve në skenën ndërkombëtare.

Çmimi “SACD”, i ndarë nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë, vlerëson veprat me skenar origjinal dhe qasje të fuqishme autoriale, duke e renditur filmin “Dua” ndër prodhimet më të spikatura të këtij viti.

Bogujevci uroi gjithashtu bashkëskenaristen Nicole Borgeat dhe gjithë ekipin realizues për këtë arritje të rëndësishme.

Exit mobile version