Ministrja Saranda Bogujevci ka zhvilluar takim me kryesuesen e Organizatës për Menaxhim Kolektiv të të Drejtave të Autorit në Fushën e Muzikës (KMRS), Kaltrina Mehmeti, ku u diskutuan zhvillimet aktuale dhe hapat e mëtejshëm për forcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në industrinë muzikore.
Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me funksionimin e menaxhimit kolektiv, zbatimin e tarifave për përdorimin e repertorit të mbrojtur, si dhe krijimin e një sistemi më të drejtë, transparent dhe funksional për kompensimin e autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe bartësve të tjerë të të drejtave.
Ministrja Bogujevci u informua për aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet KMRS-ja, ndërsa u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave të menaxhimit kolektiv dhe komunitetit krijues për avancimin e mëtejshëm të mbrojtjes së të drejtave të autorit në Kosovë.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimit të praktikave vendore me standardet evropiane, me synim mbrojtjen më të mirë të krijuesve dhe zhvillimin e industrisë kreative e kulturore në vend./A.K/
