UBT News

Bllokada për presidentin: Kurti kritikon PDK-në dhe LDK-në për refuzimin e marrëveshjes

Screenshot

Kryeministri Albin Kurti ka adresuar krizën për zgjedhjen e presidentit, duke vënë në shënjestër opozitën për refuzimin e asaj që ai e quajti ofertë “gjeneroze”, pavarësisht fuqisë së tyre të vogël në Kuvend.

Ai argumentoi se nuk mund t’i dhurojë poste dikujt që nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme nga qytetarët, duke theksuar se me 51.1% të votave, Lëvizja Vetëvendosje ka një mandat të qartë të cilin opozita duhet ta respektojë.

Kurti përdori një krahasim ironik, duke thënë se PDK-ja me 22 deputetë nuk i ka as “dokumentet” bazë për të aplikuar për postin e presidentit, pasi nuk mund të mbledhin as nënshkrimet e mjaftueshme për një kandidat.

Ndonëse Kurti propozoi që PDK-ja ose LDK-ja të merrnin drejtimin e Kuvendit si një koncesion të madh politik, liderët opozitarë i kanë hedhur poshtë këto propozime.

Lumir Abdixhiku i LDK-së bëri të ditur se ka refuzuar dy oferta konkrete: përfshirjen në qeveri me katër ministri dhe postin e kryeparlamentarit. Ngjashëm ka vepruar edhe Bedri Hamza i PDK-së, i cili refuzoi takimin me kryeministrin dhe e konsideroi të mbyllur rolin e partisë së tij në këtë proces.

Gjendja politike mbetet e tensionuar pasi afati kushtetues po skadon; deputetët kanë kohë vetëm deri më 28 prill për të zgjedhur pasuesin e Vjosa Osmanit.

Nëse dështon sigurimi i 80 votave në sallë për kandidatët e propozuar nga LVV, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha, Kosova do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të mbahen më së largu më 7 qershor.

Kjo do të shënonte herën e tretë që qytetarët i drejtohen kutive të votimit brenda 15 muajve, një skenar që Kurti e sheh si të panevojshëm pasi beson se rezultati zgjedhor nuk do të prodhonte asgjë të re.

 

Exit mobile version