Situata në Ngushticën e Hormuzit është tensionuar ndjeshëm pas deklaratave të fundit të Presidentit Donald Trump, i cili njoftoi se Marina e SHBA-së do të bllokojë të gjitha anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Edhe pse Komanda Qendrore e SHBA-së sqaroi se bllokada synon vetëm portet e Iranit dhe nuk do të pengojë lirinë e lundrimit për anijet që shkojnë drejt vendeve të tjera, ky veprim ka alarmuar organizatat ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare të OKB-së, Arsenio Dominguez, deklaroi prerazi se nuk ekziston asnjë bazë ligjore në ligjin ndërkombëtar për të bllokuar një ngushticë që shërben për tranzit botëror, duke e cilësuar këtë si një precedent të rrezikshëm.
Dominguez theksoi se masat e tilla hakmarrëse rrezikojnë drejtpërdrejt 20,000 detarë që ndodhen aktualisht në Gjirin Persik dhe paralajmëroi se sa më shumë të zgjasë kjo gjendje, aq më i rëndë do të jetë impakti ekonomik për mbarë botën.
Megjithë nisjen zyrtare të bllokadës këtë të hënë në orën 14:00, të dhënat e gjurmimit tregojnë se trafiku detar nuk është ndalur tërësisht.
Sipas platformës MarineTraffic, katër anije cisternë që transportonin naftë dhe gaz kaluan ngushticën pak para hyrjes në fuqi të urdhrit, ndërsa të martën u regjistrua kalimi i anijes “Rich Starry”, e cila po udhëtonte nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Kinës, duke dëshmuar se lundrimi ndërkombëtar po tenton të vazhdojë mes pasigurisë së madhe gjeopolitike. /BBC/
