Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Kosova është partnere e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Blinken gjatë takimit në Uashington me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ka thënë se dy shtetet kanë një histori të gjatë, teksa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës pas agresionit rus.
“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se siç e dini të gjithë, ka një histori të gjatë dhe të fortë mes nesh, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta. Dua t’ju falënderoj përsëri për pritjen bujare të afganëve në rrezik, mbështetjen e fortë që kemi parë që nga dita e parë për Ukrainën e përballur me agresionin rus, punën që po bëni në Samitin për Demokraci, duke përfshirë organizimin e samitit për gratë, paqen dhe sigurinë – dhe, zonja Presidente, vlerësoj veçanërisht udhëheqjen tuaj në këtë drejtim. Nesër do të nënshkruani një marrëveshje me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit – vërtet të rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbështetjen e përpjekjeve tuaja për të ndërtuar energji të rinovueshme. Pra, ka shumë për të folur, ndërsa po punojmë për të gjitha këto çështje, si dhe, natyrisht, për çështje qenësore të sigurisë rajonale që e di se do të kemi një shans për t’i diskutuar”, theksoi Blinken.
Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe se do të punojnë me SHBA-të dhe vendet tjera demokratike që pozita ndërkombëtare e vendit tonë të forcohet edhe më tej duke marrë vendin e merituar në komunitetin euro-atlantik.
Osmani ka përmendur edhe përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Siç e dini sekretar, Putini do të vazhdojë të përpiqet të destabilizojë Evropën edhe përmes Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të kemi nevojë për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatëve tanë evropianë, për t’u siguruar që planet e Rusisë, si dhe përfaqësuesve të saj në rajon të ndalen. Për këtë arsye, ne presim me padurim të punojmë me ju, me të gjithë administratën Biden, për t’u siguruar që si linjat e para në mbrojtjen e demokracisë, të jemi të suksesshëm në mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta, të cilat janë themelet e vendit tonë… Kosova e pavarur, sovrane, e lirë, është një realitet i pakthyeshëm që ju keni ndihmuar që të krijohet. Ne do të punojmë krah për krah çdo ditë së bashku me Shtetet e Bashkuara, si dhe me vendet e tjera demokratike në mbarë botën, për t’u siguruar që ky realitet të forcohet, të sigurohemi që pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës të forcohet, dhe për të ecur përpara drejt vendit tonë të merituar në komunitetin euroatlantik”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani tha se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë aleate e fuqishme e SHBA-së.
“Në të njëjtën mënyrë që qëndruat pranë nesh në atë kohë dy dekada më parë, sot po qëndroni me Ukrainën. Kështu që unë dua t’ju siguroj në emër të Kosovës se edhe populli i Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, siç e kemi treguar me miratimin e sanksioneve menjëherë, në të njëjtën ditë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë këtë. Dhe, sigurisht, ne ripërsërisim thirrjen tonë për të gjitha vendet në rajon për ta bërë këtë”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, udhëtuan të hënën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e marrëveshjes 200-milionëdollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.