UBT News

Blerta Basholli jep dorëheqje nga posti i drejtores së Kulturës në komunën e Prishtinës

Blerta Basholli ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtores së Drejtorisë për Kulturë në këtë komunë.

Basholli në Facebook ka shkruar se arsyeja është angazhimet e shumta që i ka pas suksesit të filmit “Zgjoi” në Sundance Film.

“Për shkak të angazhimeve që më kanë dalë si rezultat i suksesit të filmit Zgjoi në Sundance Film Festival, kam kërkuar nga Kryetari Ahmeti të më lirojë nga pozita e Drejtores për Kulturë . Kryetari si bashkëpunues i pashoq, si njohës i mirë i filmit, si gjithmonë, më ka mbështetur dhe e ka kuptuar këtë kërkesë timen, për çfarë e falenderoj pafundësisht. Për mua ka qenë kënaqësi dhe nder të bashkëpunoj me Kryetarin Shpend Ahmeti dhe kabinetin e tij, me shumë kënaqësi e kam pranuar detyrën kur më është ofruar dhe jam munduar maksimalisht të jap kontributin tim për periudhën sa kam qenë aty”, shkroi ajo mes tjerash.

Sipas saj, dy vite në këtë rrugëtim kanë qenë dy vitet më të mira.

“Dy vite rrugëtim me shumë ngritje e ulje, mund të them që ka qenë një prej rrugëtimeve më interesante dhe intensive të jetës time.Kam mësuar shumë, kam njohur njerëz shumë të mirë brenda dhe jashtë komunës, të cilët nuk do t’i harroj kurrë.Shumë projekte janë vazhduar e shumë të tjera janë inicuar e përfunduar, të tjerat me padurim i pres të përfundojnë edhe pas largimit tim. Më vjen mirë që detyrën e përfundova me një projekt të veçantë dhe që pata fatin të bashkëpunoj me artistët si Florent Boshnjaku dhe Armend Rexhepagiqi, të cilët ideuan dhe realizuan një nga projektet më të bukura të Drejtorisë së Kulturës, e që na e dhanë një ndjenjë të vecantë të gjithëve. Me vjen mirë që patëm mundësinë të mbështesim këtë projekt e edhe shumë projekte tjera të bukura përgjatë mandatit tim”, shkroi ajo.

Më vend të saj është emëruar Adrian Berisha, i cili njihet si një kontribues i madh në fushën e kulturës./UBTNews

Exit mobile version