Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, pas çdo xhiroje do të shpallin “Yllin e Javës”.
Vlerësimi për futbollistin më të mirë të javës së 3-të është bërë nga komisioni në përbërje: Berat Berisha nga KFV Llapi, Flamur Sinani nga KFV Rilindja dhe Visar Aliu nga KFV 2 Korriku.
Komisioni vlerësoi se Tolaj ishte më i merituari për fitoren që Malisheva e arriti kundër Ferizajit, me rezultat 3:1. Përveç golit të shënuar në minutën e 77-të, ai, gjithashtu gjatë tërë ndeshjes ishte protagonisti kryesor në lojë dhe kreator i disa rasteve tjera.
Pas marrjes së këtij çmimi, Bleart Tolaj u shpreh i lumtur: “Ndihem shumë mirë për këtë vlerësim dhe dua t’i falënderoj stafin teknik dhe bashkëlojtarët e skuadrës, pa të cilët sigurisht se nuk do të mund ta fitoja këtë çmim. Shpresoj që ky të mos jetë çmimi im i fundit në këtë edicion. Synimet e Malishevës janë të qarta. Shpresojmë në rezultate të mira në vazhdim të kampionatit dhe të përfundojmë në pjesën e epërme të tabelës, dhe pse jo edhe të jemi pjesë e garave evropiane”.